Sot, në Zhilivodë, u përjetësua me një lapidar kujtimi i komandantit të UÇK-së dhe luftëtarit të ditëve të para, Hashim Krasniqi, me rastin e dyvjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bashkë me kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, deputetin e Kuvendit të Kosovës, gjeneral Rrahman Rama, gjeneral Mensur Kasumi, Jakup Nurën, Fatmir Humollin – Bacin, si dhe shumë eprorë, bashkëluftëtarë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve e qytetarë nga shumë vise, nderuan kujtimin e një prej figurave që dha kontribut të çmuar në luftën për lirinë e Kosovës.
Ceremonia e zbulimit të lapidarit u organizua nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili në fjalën e tij tha se ky lapidar do të jetë dëshmi e përhershme e respektit dhe mirënjohjes për jetën dhe veprën e Komandantit Hashim Krasniqi.
“Komandant Hashim Krasniqi ishte ndër të parët që hapi dyert e shtëpisë së tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe e shndërroi atë në shtab të UÇK-së për Nënzonën e Çyçavicës, duke vënë shtëpinë dhe familjen e tij në shërbim të luftës për liri. Ky lapidar do të jetë dëshmi e përhershme e respektit dhe mirënjohjes për jetën dhe veprën e tij, si dhe kujtesë për brezat që do të vijnë. I përjetshëm qoftë kujtimi për komandant Hashim Krasniqin”, deklaroi kryetari Idrizi.





