Me rastin e 11 Tetorit – Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, Drejtoria për Administratë të Përgjithshme, përmes Sektorit për të Drejta të Njeriut dhe Barazi Gjinore, ka zhvilluar një bashkëbisedim me vajzat e reja që po përgatiten për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku u pritën nga instruktorja Luljeta Halili.
Drejtoresha për Administratë të Përgjithshme, Hyrie Uka Hoxha, dhe udhëheqësja e sektorit për Barazi Gjinore, Remzije Zekolli, bashkëbiseduan me vajzat për të drejtat e tyre, barazinë gjinore dhe rëndësinë e fuqizimit të vajzave dhe grave në shoqëri.
Gjatë takimit u diskutua edhe për motivet që i kanë shtyrë vajzat të zgjedhin profesionin në fushën e sigurisë publike, si dhe për rolin dhe kontributin e tyre në shërbim të vendit dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Ky aktivitet kishte për qëllim promovimin e barazisë gjinore, inkurajimin e vajzave për të ndjekur ambiciet e tyre dhe mbështetjen e tyre në ndërtimin e një të ardhmeje me mundësi të barabarta.


