Drejtoria për Arsim e Komunës së Vushtrrisë, në bashkëpunim me Institutin Pedagogjik të Kosovës (IPK), organizoi sot në shkollën SHMU-1 tryezën e diskutimit me temën “Avancimi i performancës së shkollës bazuar në dëshmi: përvoja dhe praktika”.
Gjatë tryezës u diskutua për strategjitë dhe metodat e mësimdhënies, me fokus në lexim-kuptim dhe lexim-shkrim, zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë të shkollave, si dhe krijimin dhe funksionalizimin e rrjeteve profesionale ndërmjet drejtorive komunale të arsimit dhe shkollave.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte identifikimi i sfidave në zhvillimin e arsimit dhe ofrimi i mbështetjes profesionale nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, me synim avancimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit.
Përfaqësuesit e Drejtorisë për Arsim, së bashku me drejtorët e shkollave, pedagogët, mësimdhënësit dhe psikologët, shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin profesional dhe për të zbatuar praktika që kontribuojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në arsim.

