Në një pronë komunale, pranë tregut të gjelbërt ka filluar së ndërtuari objekti i Qendrës komunale të regjistrimit civil dhe Qendrës komunale të regjistrimit të automjeteve. Vlera financiare e realizimit të këtij projekti kap shumën prej 241.378€, gjersa punëkryesi, kompania “Bashkimi” para ca ditësh ka filluar me punimet në ndërtim të objektit. Sipas koordinatorit të QKRC në Vushtrri Ilaz Osmani, ky projekt do të kryhet në pranverën e vitit të ardhshëm. “Sipas dinamikës së paraparë me kontratë punëkryesi punimet pritet t’i përfundojë brenda 170 ditëve” thotë Osmani. Sipas tij objekti do të krijojë kushte të mira pune për stafin dhe do të rrit cilësinë e shërbimit. “E rëndësishme është që ky objekt do të bëjë të mundur, që qytetarët e Vushtrrisë të pajisen këtu e jo në Mitrovicë, për regjistrim të automjeteve” thekson Osmani. Aktualisht vushtrriasit shërbimet e regjistrimit civil i kanë kryer në disa zyre të objekteve komunale, gjersa regjistrimin e automjeteve i kanë kryer në Mitrovicë.
Ka filluar së ndërtuari objekti i Qendrës komunale të regjistrimit civil dhe Qendrës komunale të regjistrimit të automjeteve