Është viti i katërt që mjeku Les Kimele nga Shteti i Minesotës të SHBA-ve, po ndihmon me projekte humanitare qytetarët e Vushtrrisë. Me kontribute vullnetare të tij dhe kolegëve të tij, për çdo vit ai arrin të siguroj syze për 300 deri në 400 njerëz për qytetarët nevojtarë të Vushtrrisë. Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me shoqatën Hendikos dhe shoqatën e pensionistëve vushtrrias, derisa planifikon realizimin e projekteve tjera humanitare në bashkëpunim me Komunën e Vushtrrisë në fushën shëndetësisë, edukimit dhe rinisë.
Në shenjë respekti për këtë aktivitet human, mjekun në fjalë dje e ka pritur edhe kryetari i komunës Bajram Mulaku. Këtë aktivitet humanitar të veçantë në dhurimin e syzeve për njerëzit nevojtar të Vushtrrisë, Mulaku e ka vlerësuar lartë duke ndarë falënderim në emër të institucioneve lokale dhe qytetarëve të Vushtrrisë. “E çmojmë shumë vullnetin e mirë të mjekut Les Kimele që të ndihmoj qytetarët dhe institucionet e Vushtrrisë”, ka thënë Mulaku në pritjen që i ka bërë mjekut dhe humanistit amerikan. Ndërkaq Kimele ka shprehur gatishmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit edhe në fushën e arsimit, përpos shëndetësisë. “Përveç pajisjes me syze të qytetarëve tani e sa vjet, tani mendojmë që aktivitetin ta zgjerojmë edhe në fusha tjera si shëndetësi e arsim”, ka thënë Kimele.
Gjatë realizimit të aktivitetit të pajisjeve me syze të nevojtarëve personave me aftësi të kufizuara, nënkryetari i komunës së Vushtrrisë Dibran Perçuku, ka falënderuar mjekun amerikan për kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë për qytetarët e Vushtrrisë.
Aktivitet humanitare të mjekut amerikan në Vushtrri janë ndihmuar dhe përkrahur nga Shoqata “Fjala”.
“E çmojmë shumë vullnetin e mirë të mjekut Les Kimele që të ndihmoj qytetarët dhe institucionet e Vushtrrisë”, ka thënë Mulaku në pritjen që i ka bërë mjekut dhe humanistit amerikan