Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në mbledhjen e mbajtur në ditën e hënë i ka dhënë mbështetje deklaratës politike të kryetarit të komunës – Bajram Mulaku, lidhur me obligimet e komunës pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Në deklaratë ndër të tjera thuhet:
“Garantimi, respektimi dhe promovimi i të drejtave të njeriut është prioritet kryesor i Komunës së Vushtrrisë. Mbrojtja dhe promovimi i tyre do të bëhet konform Deklaratës Univerzale për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës Kornizë për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, Ligjit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve në Republikën e Kosovës. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, Ligji për Lirinë Fetare dhe Ligji për Trashëgiminë Kulturore. Komuna e Vushtrrisë zotohet të arrijë shkallën e barazisë efektive për të gjithë qytetarët e saj duke përfshirë edhe qytetarët e saj të ripranuar e riintegruar. Zotohemi për respektimin e maksimal të identitetit gjuhësor të qytetarëve të komunës konform të drejtës pozitive të vendit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sportit dhe instituteve përkatëse dhe në pajtueshmëri të Konventës në Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të aprovuara nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës në lëmin e trashëgimisë dhe Ligjit mbi Trashëgiminë Kulturore Arkeologjike zotohemi në zbatueshmëri të tij, duke u përfshirë inventarizimi dokumentimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, zonat dhe hapësirat e mbrojtura, zbatim të procedurave ligjore për gërmime arkeologjike. Komuna e Vushtrrisë garanton sistem të arsimit për të gjithë konform ligjeve ekzistuese. Promovon dhe lirinë e lëvizjes dhe integrimin e të gjithë qytetarëve të saj në shoqëri si një vlerë e çmuar e koloritit qytetar. Komuna e Vushtrrisë ka qëllimin e ngritjes së kuadrit institucional ku do të realizoheshin të drejtat e qytetarëve me transparencë, efektshmëri dhe përgjegjshmëri të plotë. Komuna e Vushtrrisë shpreh gatishmërinë që konform kompetencave që ka të ndihmojë institucionet gjegjëse Evropiane dhe vendore konform politikave të B.E, për të luftuar të keqen globale si fanatizmin fetar, nacionalizmin, racizmin dhe terrorizmin. Synojmë që të jemi pjesë e këtij globalizmi në administrim të suksesshëm të luftës kundër dhunës, terrorit, fanatizmit, varfërisë, kriminalitetit, imigracionit ilegal dhe dukurive të tjera negative tani të shndërruara globale.
Komuna e Vushtrrisë në vazhdimësi ka zbatuar legjislacionin vendor për fushën e ripranimit dhe riintegrimit dhe shpreh gatishmërinë në intensifikimin e aktiviteteve praktike për rritje të efikasitetit në këtë fushë, duke siguruar procedura të efektshme në kuadër të programit të riintegrimit dhe me thekës të veçantë shprehim gatishmërinë e zbatimit të strategjisë dhe planit të veprimit për riintegrim të qytetarëve pa dallime etnike. Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, duke u nisur nga parimet demokratike, të drejtën universale dhe asaj humane, u bënë thirrje publike të gjithë qytetarëve pa dallime etnije për t’u kthyer dhe jetuar në vendlindjen e tyre. Klima mbizotëruese e sigurisë, lëvizjes së lirë, mirëbesimit dhe barazisë para ligjit mundëson jetë të mirë dhe të qetë për të gjithë”.
Deklaratë e kryetarit të komunës Bajram Mulaku lidhur me obligimet e komunës pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur