Në një iftar bashkë me kryetarin e komunës së Vushtrrisë Bajram Mulakun, deputetë të parlamentit turk, deputetë të parlamentit të Kosovës Kurtan Kajtazin e Xhevahire Izmakun, kryetarin e komunës së Ankara Mamakut të komunave Osman Gazi, Bursa dhe komuna Bursa e madhe, sekretarin gjeneral të Gjysmëhënës së Kuqe, ambasadoren e këtij shteti dhe shumë drejtues tjerë të jetës institucionale qoftë të nivelit qendror a lokal bashkë me qindra qytetarë vushtrrias kaloi takimi i zv. kryeministrit të Republikës së Turqisë Bekir Bozda, takim ky shumë i përzemërt e që zgjati gjerë në orët e vona të mbrëmjes. “ Largësia gjeografike nuk na pengon që të jemi pranë njëri-tjetrit, për të ndarë pikëllimin apo gëzimin bashkë. Populli i Kosovës ka vëllezër turq ” tha ndër të tjera Bozda. Ai tutje theksoi që Republika e Turqisë do ta përkrahë Kosovën si në ditët e saja të mira, ashtu edhe në ato të hidhura. “ Vëllazërimi jonë nuk do të rrëzohet asnjëherë ”. Zv. kryeministri Bozda tha t’i gëzohen përparimeve dhe avancimeve që po ndodhin në Kosovë dhe se do t’i jenë pranë Kosovës edhe pas 10 shtatorit kur përfundon mbikëqyrja e pavarësisë. “ Popullin turk dhe të Kosovës nuk e lidh vetëm feja, na lidh kultura, aspektet e historisë së përbashkët dhe burimi i përbashkët i qytetërimit. Ai duke u ndërlidhur në proceset politike të Kosovës theksoi: “ Tërësia territoriale e Kosovës, integriteti i saj, pavarësia, janë tema që asnjëherë nuk duhet të diskutohen apo hudhen në mendje. Ne ftojmë të gjithë që me maturi ta kuptojmë këtë realitet dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës”.
Mulaku: Vëllazërimi me komunën e Ankara Mamakut, qytetarëve vushtrrias u solli shumë të mira
Shkëmbimi i përvojave të menaxhimit institucional, bashkëpunimi në sferën e kulturës, arsimit e sportit, por edhe të të bërit biznes të përbashkët janë sferat, të cilat janë fryt i bashkëpunimit të dy komunave të Vushtrrisë e Anakara Mamakut, të cilat po thellohen për çdo vit, vlerësoi kryetari i komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku. Ai ndër të tjera bëri edhe një kronologji të ndihmave humanitare për popullatën të ardhura e që janë fryt i këtij bashkëpunimi. “ Sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ka arritur autoambulanca si dhuratë nga Turqia, gjersa janë edhe plot 1100 pako sociale për qytetarët e komunës sonë, duke përfshirë edhe artikuj tjerë nga tekstili ” theksoi Mulaku. Ai gjithashtu ka falënderuar kryetarin e komunës Mamak Ankara Mesut Akgul për këmbëngulësinë e tij në realizim të projektit të restaurimit të objektit të trashëgimisë kulturore “Hamamit”. “ Është projekt me kosto shumë të lartë financiare, porse ky investim që tashmë është në procedurë për t’u realizuar do t’i jap pamje shumë të bukur qytetit tonë përkrah objektit në ndërtim e sipër të komunës ” vlerësoi Mulaku.
Tërësia territoriale e Kosovës, integriteti i saj, pavarësia e Kosovës, janë tema që asnjëherë nuk duhet të diskutohen apo hudhen në mendje. Ne ftojmë të gjithë që me maturi ta kuptojnë këtë realitet dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës