Idriz Zeneli nga Komuna e Vushtrrisë, i lindur në vitin 2002, nxënës që ka përfunduar klasën e IV-të, të shkollës fillore në fshatin Reznik dhe ka një muaj që ndjen lodhje e ndryshime të mëdha në trupin e tij. Ai pushimet vjetore nuk mund t’i kalojë sikurse moshatarët e vet, babai i tij Bajrami vëren ndryshimin tek biri dhe menjëherë e dërgon në vizitë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, e më pas në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë në Klinikën e Pediatrisë. “Nga e hëna djalin e kam në QKUK në Klinikën e Pediatrisë në Repartin e leukemisë, ku komisioni mjekësor ia ka përcaktuar diagnozën “Leucemia Acuta Myeloidea” me procedurat e nevojshme për trajtim jashtë vendit” thotë Bajrami. Ai thotë që nga dita e marrjes së fletëlëshimit dhe diagnozës së tillë për birin e tij të jetë interesuar për të gjetur zgjedhje, por që gjer më tani nuk ka arritur. “Kam vizituar dhe kërkuar ndihmë edhe te KFOR-i Italian në Pejë, pasi më është sugjeruar që ata me ndihmën e ca shoqatave italiane humanitare të i kishin dërguar atje” thotë Bajrami. Ai thotë që nga zyrtarët e KFOR-it të ketë marrë njoftimet se këto shoqata tani kanë reduktuar mundësitë e dërgimit të pacientëve për shërim në Itali, nga arsyeja e mungesës përkatësisht reduktimit të fondeve. “Aty mësova se kostoja financiare për operim dhe shërim të birit tim kap shifrën nga 60 mijë deri në 100 mijë euro, gjë që unë nuk i kam, pasi familjen e mbaj nga një pagë që marrë si punëtor sigurimi në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri”, thotë ai.
Idrizi 10 vjeçar i vendosur në QKUK pret ndihmën e shoqërisë në Kosovë, pret ndihmën e Institucioneve të Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që t’i mundësohet shërimi dhe të i kthehet jetës normale, t’i kthehet mësimit. “Na është thënë që sëmundja është në fazën fillestare dhe intervenimi i shpejtë shpëton jetën e fëmiut tim” shprehet në vaj babai i Idrizit.
Mësojmë se gjatë ditës së sotme djaloshin në QKUK e vizitoi edhe një ekip i mjekëve të KFOR-it Italian.
Fëmiu Idriz Zeneli nga Rezniku i Vushtrrisë i sëmurë nga Leukemia kërkon ndihmë nga institucionet dhe shoqëria për shkak se i duhet të trajtohet jashtë vendit