Vizioni ynë është ai që e bën thelbin e angazhimit në politikë, ngritjen e vazhdueshme të mirëqenies së qytetarëve. Atë ta bëjë në atë mënyrë që të gjithë vlerën individuale që ka mjaft në komunë, të arrijmë ta shndërrojmë në vlerë politike, e cila pa dyshim që reflekton zhvillim, përgjegjësi dhe ndershmëri dhe e cila si e tillë më lehtë bëhet urë-lidhëse mes kërkesave të qytetarëve dhe jetës institucionale
Vizion tjetër yni është ngritja e efikasitetit të administratës komunale. Në çdo qeveri lokale ndikimi i burimit njerëzor është thelbësor. Mënyrat e të bërit të punëve dhe metodat që zbatohen ndikojnë shumë në efikasitetin dhe efektivitetin e organizatës. Kompetencat komunale dhe dinamika në shtimin e punëve kërkon një metodë të re të menaxhimit të punëmarrësve dhe të çështjeve që ndikojnë tek ata në realizimin e detyrave të tyre të përditshme. Përshkrimi dhe sistematizimi i vendeve të punës do të ulë koston e komoditetit dhe fut përgjegjshmërinë tek personeli i administratës komunale. Një qasje e tillë do t’i balancojë të drejtat e qytetarëve për të marrë një shërbim nga qeverisja.
Në këtë vit ne kemi vazhduar me realizimin e projekteve të investimeve kapitale, të planifikuara e aprovuara nga kuvendi komunal. Projektet e tilla ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, do të ndikojnë në krijim të kushteve për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të punës. Ju thërras që të gjithë të kontribuoni për t’i kryer obligimet ndaj pushtetit lokal pasi mjetet e tilla u kthehen qytetarëve, u kthehen atyre që kanë nevojë. Komuna është shtëpia jonë e përbashkët.
Çfarë është realizuar apo është në realizim në periudhën gjashtëmujore të vitit kalendarik
Komuna e Vushtrrisë në periudhën gjashtëmujore fillimisht ka realizuar projektet e bartura me buxhet nga viti 2011 në vitin 2012, e që janë: ndërtimi i urës mbi lumin Silnica në fshatin Prelluzhë në vlerë prej 384.279€, pastaj asfaltimi i rrugës nga magjistralja- lagjja e Rashicëve në drejtim të fshatit Begaj- varrezat e qytetit në vlerë prej 84.048€. Asfaltimi i rrugëve lokale në fshatin Shtitaricë në vlerë prej 69.804ë. Ndërtimi i kullës së Azem Galicës, në vlerë prej 59.515€ dhe renovimi i shtëpisë së Mahmut Agë Gjinollit faza e parë me vlerë prej 73.746€.
Krahas projekteve të investimeve kapitale të planifikuara për realizim në këtë vit kalendarik po vazhdojnë me dinamikë të shpejtuar punimet e filluara vitin e kaluar në ndërtim të fabrikës për përpunimin e ujit të pijshëm. Vlera e kontratës në ndërtim të kësaj fabrike është 8.273.653€ dhe është financuar nga Qeveria e Kosovës. Punimet do të përfundojnë në vitin e ardhëm. Projekti që vazhdon së realizuari në këtë vit është investimi i Komisionit Evropian në ndërtim të objektit të ri të komunës vlera e të cilit kap shumën prej 1.343.190€. Gjithashtu janë duke u realizuar investimet e USAID-it në hulumtime dhe restaurim të objektit të trashëgimisë kulturore kalasë së qytetit, të filluara viteve të kaluara në vlerë prej mbi 500mijë euro.
Në këtë gjashtëmujor është përfunduar ndërtimi i shëtitores në brigjet e lumit ”Silnica” projekt ky i realizuar në bashkëfinancim me USAID-in. Rregullimi i kompleksit gjelbërues përgjatë shëtitores si dhe hapësirës gjelbëruese rreth palestrës sportive është duke vazhduar. Kostoja financiare e këtij projekti është 108.000€. Më 27 mars USAID-i përkatësisht Inciativa për komuna demokratike dhe efektive, në ceremoninë e shpërndarjes së shpërblimeve komunale nga fondi stimulues ka shpërblyer Komunën e Vushtrrisë në dy kategori, atë të Përformancës së shërbimeve komunale, vlera 45 mijë dollarë dhe Transparencës, vlera 25 mijë dollarë. Këtë vit është realizuar projekti i rregullimit të sistemit të pompimit në fshatin Balinc nga hidrosistemi Iberlepenc.
Në raportin vjetor për kontratat e nënshkruara publike në Drejtorinë e Prokurimit për periudhën gjashtëmujore janë gjithsej 113 sosh, në vlerë të gjithëmbarshme financiare prej 5.387.125€. Kanë përfunduar apo janë në përfundim e sipër punimet në asfaltimin e rrugëve lokale të qytetit: rruga “Lidhja e Lezhës”, pastaj ajo nga pishina e Zariqëve gjer tek ura e “Podranqës”, asfaltimi i rrugës nga Ura e Vjetër e Gurit, gjer tek ura e “Silnicës”, si dhe asaj që lidh rrugën “Lumni Surdulli” me rrugën “Toplica”. Gjatësia e këtyre rrugëve është 1760 m, gjersa kostoja financiare e tyre është 132.022€. Në një projekt të përbashkët janë asfaltuar gjithashtu rrugët lokale në fshatin Akrashticë, lagjja Rama-Beqiri, pastaj rruga në fshatin Bukosh si dhe vazhdimi i asfaltimit të rrugës “Jeton Tërstena” në qytet me kosto financiare prej 127.218€ dhe gjatësi prej 1450 m. Në një projekt tenderues të përbashkët janë asfaltuar apo janë duke u asfaltuar rruga në fshatin Bruznik, rruga e fshatit Novolan e cila të çon tek shkolla e fshatit, pastaj asfaltimi i rrugës Bukosh-Liqej-Taraxhë dhe asfaltimi i rrugës në fshatin Zhilivodë në kosto financiare prej 241.399€ dhe gjatësi prej 4890 m.
Është realizuar apo është në realizim e sipër projekti i asfaltimit të rrugëve lokale në qytet rruga “Haxhi Zeka”, rruga e “Krujës”, rruga “Azem Galica” në vlerë të përbashkët financiare prej 238.550€dhe gjatësi prej 2600 m, duke përfshirë edhe rregullimin e kanalizimit fekale në rrugën “Haxhi Zeka”. Gjithashtu është në realizim e sipër asfaltimi i rrugës në fshatin Maxhunaj, te 3 gurët- lagjja e Zekollëve dhe asfaltimi i rrugës Karaçë-Gumnishtë me kosto të përbashkët financiare prej 107.047€ dhe gjatësi prej 1490 m.
Në realizim gjithashtu është edhe projekti i përbashkët në asfaltim të rrugës në fshatin Sfaraçak, lagjja Xhafa-Menxhiqi, pastaj asfaltimi i rrugës në fshtin Mavriq, rrugëve lokale në fshtin Stanoc, si dhe asfaltimi i rrugës në fshatin Tërllabuq-vazhdim, me kosto të përbashkët financiare prej 164.534€ dhe gjatësi prej 3150 m.
Duke u realizuar nga punëkryersi është edhe asfaltimi i rrugës lokale në fshatin Duboc dhe Beçiq në gjatësi prej 700 m dhe kosto financiare prej 48.675€. Qytetarë të nderuar: kam kënaqësinë të ju njoftoj që së shpejti do të fillohet me realizimin e projektit trevjeçar në restaurimin e segmentit të I, II, II dhe të IV të rrugës kryesore të qytetit, rrugës dëshmorët e kombit me kosto financiare prej afro 4 milion €, pastaj asfaltimit të rrugës Pasomë-Rashan me gjatësi prej 2100 m dhe kosto financiare prej 165.727€. Komuna e Vushtrrisë vazhdon të investojë në gjelbërimin dhe mirëmbajtjen e parqeve të qytetit, për të cilin aktivitet janë shpenzuar 29.973€, pastaj për pastrim dhe mirëmbajtje të varrezave, ndriçimit publik. Janë ndarë mjete financiare për bartje të nxënësve në shkolla dhe janë realizuar projekte tjera në interes të qytetarëve të komunës duke përfshirë rregullimin e oborreve të shkollave në fshatin Smrekonicë dhe Bukosh, projekt ky që do të kryhet në partneritet me USAID-in. Në kuadër të fondit për transfero dhe subvencione komuna ka ndarë 109.862€ të destinuara për shoqatën e familjeve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të UÇK-së, për shoqatën e të burgosurve, shoqatën martirët e lirisë, shoqatën Handikos, mjete për botim të librave, ndihma sociale për skamnorët dhe subvencionim të 20 klubeve e shoqatave sportive të komunës. Komuna e Vushtrrisë në këtë gjashtëmujor ka ndarë 27.900€ për asistencë sociale të 113 qytetarëve të saj, duke përfshirë raste të intervenimeve për mjekim të ndihmës sociale dhe raste tjera.
Këto janë disa nga realizimet e kryera të investimeve brenda këtij gjashtëmujori, të këtij viti kalendarik. Shpresojmë që ta kenë përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të kësaj komune.
Vushtrria ka kohë që ka dhënë dëshmi që e ka tejkaluar fazën e miturisë institucionale dhe tani ajo vazhdon që koncesusin e qeverisë lokale ta bëjë mbi qëndrimin politik në raport me interesin qytetar duke plotësuar një standard kyç të stabilitetit institucional dhe politik. Vizioni ynë është që në ecjen e pushtetit lokal të vendosë veprimi racional dhe arsyeja politike si një e arritur e konsoliduar për të qenë dobia më e madhe e qytetarëve të kësaj komune dhe të vet politikës.
Debatimi dhe mbështetja në realizim të projekteve kapitale të interesit qytetar bën që politika të zbresë nga lartësia dhe abstraktja dhe të merret me jetën e qytetarëve në lagje, fshat e qytet, ndërsa mendimi politik të ketë kaloritin e vet për këto çështje.