Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku ka pritur në një takim pune komandantin e KFOR –it, Grupi për Regjionin e Veriut, kolonelin CONRAD me bashkëpunëtorë. Kryetari Mulaku ka njoftuar kolonelin për situatën e sigurisë në Komunën e Vushtrrisë. “Siguria në komunën tonë është në nivel të kënaqshëm dhe s’ka asnjë ankesë nga komunitetet, ndërkaq tensionet në veri po reflektojnë edhe këtu” ka thënë Mulaku. Koloneli Conrad ka njoftuar kryetarin Mulaku për angazhimet e KFOR-it, për të pasur një mjedis të qetë e pa tensione gjatë dhe pas zgjedhjeve serbe. ”KFOR-i nuk ka asnjë rol në zgjedhjet serbe, nuk jemi të implikuar por interes yni është për të pasur situatë të qetë ka vlerësuar Conrad. Ai në emër të gjeneralit Drews ka kërkuar nga kryetari Mulaku angazhim shtesë në ruajtje të këtij stabiliteti të sigurisë edhe ditëve në vazhdim. Koloneli Conrad në këtë takim ka shprehur gatishmërinë e ndalimit të hyrjeve të grupeve paramilitare në Kosovë nga Serbia si dhe ndalimin e mundësisë së shtimit të numrit të barrikadave në veri të vendit, përveç atyre të ashtuquajtura “barrikadat simbolizuese” e që janë njëra tek ura kryesore në lumin “Ibër” dhe tjetra në hyrje të Zveçanit.
“Siguria në komunën tonë është në nivel të kënaqshëm dhe s’ka asnjë ankesë nga komunitetet, ndërkaq tensionet në veri po reflektojnë edhe këtu” ka thënë kryetari i komunës Bajram Mulaku