Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews ka vizituar gjatë ditës së sotme komunën e Vushtrrisë. Ai me bashkëpunëtorë vizitoi Qendrën e Kosovës për Siguri Publke, Stacionin e Policisë së Kosovës si dhe gjykatat për t’u ndalë më gjatë në komunën e Vushtrrisë, ku u prit nga kryetari i saj Bajram Mulaku me bashkëpunëtorë. Gjeneralin Drews, kryetari Mulaku e informoi për historikun e shkurtër të komunës, investimet e kryera, sigurinë dhe proceset e integrimeve të pakicave në jetën institucionale. Ai gjithashtu ka falënderuar KFOR-in për të gjitha kontributet në dobi të qytetarëve të këtij lokaliteti. “ Ishin të nderuar me vizitën e gjeneralit Drews, e cila vie si rezultat i bashkëpunimit të mirë me KFOR-in, të cilët po kontribuojnë për klimën e sigurisë në vend ” tha Mulaku. Gjenerali Drews tha që vizitat që po u bënë komunave në Kosovë janë nga arsyeja që të mësoj se si qytetarët po jetojnë. “ Në Vushtrri dhe në takim me kryetarin e komunës, hasa në pritje shumë të përzemërt ku u informova për angazhimet e kryetarit për të mirën e qytetarëve dhe bashkëjetesën që po mbizotëron këtu ” tha Drews. Shefja e Zyrës Komunale për Komunitete Bojana Aritanoviç, gjeneralin Drews e informoi për frymën e bashkëjetesës që ka komuniteti serb me fqinjët e tyre dhe bashkëpunimin e mirë që ka me pushtetin lokal. “ Në zyrën për komunitete punojnë 15 qytetarë nga të cilët 13 janë serbë. Në këtë vit kemi projekte të mëdha për të realizuar në vendbanimet ku jetojnë komunitetet bashkë me pushtetin lokal, gjersa vitin e kaluar realizuam projekte të investimeve kapitale në vlerë prej afro 700 mijë eurove ” tha Aritanoviç. Edhe kryetari i komitetit për komunitete Millan Kostiç ka folur për klimën shumë pozitive dhe integrimet e pakicës serbe në jetën institucionale të komunës. Gjenerali Drews në pyetjet rreth mundësisë së kthimit të gjyqëtarëve të Gjykatës së Qarkut në objektet e tyre në pjesën veriore të vendit theksoi se ka nevojë ende të punohet në aspektin politik për të arritur gjerë tek ky rezultat. Ai gjithashtu gjatë bisedimeve rreth problemeve në veri të vendit tha se përparësi duhet t’u jipet zgjedhjeve politike e jo ushtarake.
“Në Vushtrri dhe në takim me kryetarin e komunës, hasa në pritje shumë të përzemërt ku u informova për angazhimet e kryetarit për të mirën e qytetarëve dhe bashkëjetesën që po mbizotëron këtu ” tha gjenerali Drews