Komuna e Vushtrrisë ka ngritur nivelin e shkallës si gatishmërisë pas reshjeve të vazhdueshme të borës dhe temperaturave të ulta që po mbizotërojnë. Në mbledhjen e mbajtur me këshilltarë, kryetari i komunës Bajram Mulaku ka kërkuar nga i gjithë stafi komunal angazhim maksimal për të qenë sa më afër qytetarëve në këto ditë të vështira. “Drejtoria Komunale e Shërbimeve Publike, ajo e Emergjencës, e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale duhet të jenë në koordinim të përhershëm dhe përherë mobil në hapjen e rrugëve nga pengesat e borës dhe ndihmat tjera emergjente” ka porositur Mulaku drejtorët e këtyre drejtorive.
Ai nga zyrtarët komunal ka kërkuar angazhim mobil 24 orë, për menaxhim sa më efikas të gjendjes së krijuar pas reshjeve të borës në vazhdimësi.
Drejtori i shërbimeve publike Sami Istrefi, gjendjen në rrugët e komunës e vlerëson më të rënd pas mbrëmjes së ditës së djeshme. “Mbi 200 km rrugë komunale në 66 fshatra dhe vet qytetin po pastrohen dhe hapen nga kompania “Shkoza” përkundër pengesave të mëdha që po krijohen nga bora që vazhdimisht po bie dhe erërat” thotë Istrefi.
Zyrtarët komunal bashkë me kompaninë prioritet po i japin mirëmbajtjes së rrugëve që qojnë te varrezat e qytetit si dhe angazhimeve direkte në ndihmë qytetarëve për bartje në rastet e të sëmuarve në dializë, lindjet dhe problemet tjera humanitare.
Istrefi thotë që nga sot kompania ka rritur kapacitetet e mjeteve motorike të angazhuara në pastrim të rrugëve nga bora, gjersa në raste të caktuara i bashkohen edhe mjetet motorike të zjarrfikësve. Ai nga qytetarët e Komunës së Vushtrrisë kërkon mirëkuptim dhe bashkëveprim në eliminimin e pengesave të borës. “Qytetarët duhet të ndihmojnë në pastrimin e rrugëve e trotuareve para shtëpive e bizneseve të tyre, pasi ne vështirë të arrijmë ta bëjmë këtë përkundër gatishmërisë sonë” përfundon Istrefi. Ekipeve mobile në pastrimin e rrugëve nga bora shpeshherë iu bashkuan edhe pjesëtarët e FSK-së. Ndryshe rrugët lokale duke llogaritur edhe ato në viset malore shpeshherë bllokohen nga bora por që pas intervenimeve lirohen.
Kryetari i komunës Bajram Mulaku ka kërkuar nga i gjithë stafi komunal angazhim maksimal për të qenë sa më afër qytetarëve në këto ditë të vështira