Drejtori i Drejtorisë Komunale të Financave Isuf Jashari ka shprehur vërejtje tij në këtë Qarkore buxhetore për vitin 2012. “Vërejtja ime ka qenë te rritja e të hyrave vetanake dhe zvogëlimi i grandeve qeveritare pasi është në dispozicion në krahasim me shpërndarjen e grandeve të buxheteve komunale në Komunat e Kosovës” ka thënë Jashari. Sipas tij të hyrat vetanake në buxhetin e vitit 2012 janë paraparë të jenë 1.772.000 euro që krahasuar me planifikimin e buxhetit të këtij viti janë rreth 450 mijë euro më shumë. Shqetësim për këtë gjë ka shprehur edhe Kryetari i Komunës Bajram Mulaku në seancën e fundit të Kuvendit Komunal “Mendoj që është i paarsyeshëm zvogëlimi i grandeve qeveritare dhe unë sugjeroj të korrigjohet gjersa në të hyrat vetanake me vazhdimisht po shënojmë rritje të tyre. Këtë vit janë më të mirat gjersa këtë muaj që kaluam kemi pasur 200% rritje mbi planifikim” ka thënë Mulaku. Pajtim të ngjashëm për rritjen e të hyrave vetanake në kufijtë buxhetor ka pasur edhe këshilltari komunal Muharrem Shabani (AAK). “Pajtohem me Kryetarin për vrejtjet e dhëna sa i përket rritjes së të hyrave vetanake, gjersa kërkoj të dijë se sa jonë të hyrat e pa realizuara nga vitet paraprake”ka thanë Shabani. Këshilltaret Komunal Sabit Kadriu (LB), Refik Ramaj (LDK) kanë kërkuar nga Drejtorët e Drejtorive strategji konkrete të veprimit sektorial në dokumentin e drejtimit strategjikë Komunal, për të pasur objektiva më të qarta të zhvillimit nga buxheti i planifikuar. Gjykuar sipas Qarkores buxhetore 1e2 për vitin 2012, Komuna e Vushtrrisë do ta ketë buxhetin 12.492.512 euro që është i përafërt me buxhetin e këtij viti. Dallimi është për 8 mijë euro.
Konform parametrave makro fiskale në Kornizën afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2012-2014 e dokumentit të drejtimit strategjik komunal, Zyrtarët komunal thonë se ti kenë dhënë konturat e buxhetit për vitin 2012 “Kufijtë final për buxhetin e vitit 2012 kapin shumën prej 12.492.512 eurove. Dëgjimi i parë publik është mbajtur duke përfshirë edhe debatin për këtë pikë në seancën e Kuvendit, gjersa gjatë korrikut do të mbajmë edhe dy dëgjime tjera publike” thotë zyrtari komunal i buxhetit Mexhit Përquku. Ai ka ftuar qytetarët për të prezantuar në dëgjimet publike të buxhetit në mënyrë që të japim kontributin për planifikim më gjithëpërfshirës të tij veçanërisht tek planifikimi i investimeve kapitale ku sipas tij do të jenë 3.823.095 euro. “Ne bashkë me USAID-in kemi përgatitur një fletëpalosje në të cilën janë pasqyruar detajet e realizimit të buxhetit për vitin 2010, planifikimet për vitin 2011 dhe kufijtë final të buxhetit për vitin 2012 e cila do tu shpërndahet qytetarëve” ka thënë Përquku.