Hapjen e manifestimit e ka bërë nënkryetarja e komunës Xhevahire Izmaku e cila ka porositur të rinjtë që me punë e edukim të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Ndërkaq në emër të MKRS-së Mirushe Emini tha se rinia është e tashmja e Kosovës. Shukrane Begu përgjegjëse e sektorit të rinisë në administratën lokale tha se aktivitet në Ditën e rinisë në Vushtrri po zhvillohen nga organizatat rinore lokale të mbështetura nga MKRS dhe nga Komuna.
Aktivitet i veçantë është bërë në Kalanë e qytetit me një ekspozitë me gjetjet gjatë hulumtimeve që po bëhen aty, ku nga arkeologu Dedë Palokaj të rinjtë janë njoftuar se gjetjet e fundit në Kalanë e qytetit dëshmojë se ajo është shumë më e vjetër se sa është menduar deri më tani. Në aktivitetin e të rinjve në Kala ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës Bajram Mulaku.
Me aktivitete të shumta të martën është shënuar Dita e rinisë në qytetin e Vushtrrisë. Muzikë, pikturë, pastaj lojëra sportive futboll e basketboll i rrugës por edhe aktivitete humanitare si dhurimi i gjakut, janë zhvilluar nga të rinjtë me rastin e hapjes së manifestimit në qendër të Vushtrrisë, në sheshin Adem Jashari.