Në 27-vjetorin e rënies së heroit Avni Saraçi, sot është përuruar shtatorja e tij në vendin ku ai ra heroikisht.
Ceremonia u organizua nën patronazhin e Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili në fjalën e tij tha se heroizmi i Avni Saraçit nuk do të harrohet asnjëherë.
“Në këtë ditë të shënuar zbuluam edhe shtatoren e heroit, pikërisht te Ura e Gurit ku Avniu ra për të mos u harruar kurrë, teksa përballej me forcat serbe. Ra për liri, u ngrit në përjetësi”, tha kryetari Idrizi.
Paraprakisht, kryetari Idrizi, bashkë me familjarë dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bënë homazhe tek varri i heroit Avni Saraçi në kompleksin e dëshmorëve në Bletaj.