Sot, në kuadër të projektit “Move Safe+: Forcimi i Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane në Evropën Juglindore, Lindore dhe Azinë Qendrore”, Komuna e Vushtrrisë, në bashkëpunim me UN-Habitat Kosova, organizoi punëtorinë e parë njëditore me qëllim hartimin e Planit të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban për qytetin tonë.
Në hapje të punëtorisë, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, theksoi rëndësinë e këtij procesi gjithëpërfshirës që synon ta bëjë Vushtrrinë një qytet më të qasshëm, më të sigurt dhe më të gjelbër për të gjithë qytetarët.
“Përmes Planit të Mobilitetit synojmë ndërtimin e një lëvizshmërie të qëndrueshme në Vushtrri, pra ta bëjmë lëvizjen në qytetin tonë më të lehtë, më të sigurt dhe me një ambient tërësisht të gjelbër”, deklaroi kryetari Idrizi.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga UN-Habitat, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nga Instituti Kombëtar i Planifikimit Hapësinor, nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës, nga Policia, Bashkësia Islame, HANDIKOS në Vushtrri, përfaqësues të operatorëve të transportit të udhëtarëve, të autoshkollave, përfaqësues të OJQ-ve që veprojnë në Komunën e Vushtrrisë, dhe palë të tjera të interesit.





