Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, të kryesuar nga Kastriot Lajçi.
Në këtë takim morën pjesë edhe anëtarët e Komisionit të Komunës së Vushtrrisë për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera.
Gjatë takimit u diskutua për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në ekonomitë familjare, sektorin e bujqësisë si dhe në infrastrukturë. Palët u dakorduan për një bashkëpunim të ngushtë me qëllim të realizimit të një vlerësimi të saktë dhe gjithëpërfshirës të dëmeve.
“Komuna e Vushtrrisë mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me institucionet qendrore, të ofrojë mbështetje për qytetarët e prekur dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për tejkalimin e pasojave të vërshimeve”, deklaroi kryetari Idrizi.


