Komuna e Vushtrrisë, me aktivitete të shumta, ka shënuar 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bashkë me kabinetin qeveritar, përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh tek Përmendorja e Dëshmorëve në Vushtrri, Përmendorja e Martirëve, shtatorja e komandantit legjendar Adem Jasharit, shtatorja e Hasan Prishtinës, shtatorja e Kolonel Ahmet Krasniqit dhe në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit në Bletaj.
Më pas u mbajt akademia solemne, ku u rikujtua rruga e lirisë dhe sakrifica e gjeneratave që na sollën lirinë. Festën tonë për 18 vjet shtet e madhështoi programi artistik i ansamblit të këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina”, po ashtu edhe Opera e Kosovës – Okteti plus.
“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë”, tha kryetari i Komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi.








