Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë ka mbajtur sot seancë solemne kushtuar 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vlerësua lart sakrifica sublime e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari për lirinë e vendit.
Seanca u hap me intonimin e himnit kombëtar dhe shtetëror, pas së cilës u mbajt një minutë heshtje në nderim të të rënëve për atdhe.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, përkujtoi sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes Jashari për çlirimin e Kosovës.
“Me respekt dhe mirënjohje të përhershme kujtuam sakrificën heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, u bënë simbol i qëndresës, guximit dhe sakrificës për atdheun. Qëndresa e tyre e pathyeshme i dha forcë një populli të tërë dhe u shndërrua në themel të lirisë që gëzojmë sot. Epopeja e UÇK-së mbetet frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë. Lavdi e përjetshme familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e atdheut”, deklaroi kryetari Idrizi.
Fjalë rasti mbajtën kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Melihate Basholli Latifi, shefat e grupeve të asamblistëve, si dhe përfaqësuesi i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.





