Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur sot akademi përkujtimore për të shënuar 27-vjetorin e Masakrës së Studimes, një nga masakrat më të përgjakshme në Kosovë, ku u vranë dhe u masakruan 116 civilë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq.
Akademia u organizua nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili në fjalën e tij tha se 27 vite më parë, në Studime u krye një nga krimet më të rënda dhe më çnjerëzore të regjimit serb gjatë luftës në Kosovë.
“116 civilë të pafajshëm, fëmijë, gra, burra e pleq, u vranë dhe u masakruan mizorisht nga forcat serbe, vetëm pse ishin shqiptarë. Dhimbja e 2 majit nuk i takon vetëm familjeve të martirëve, por gjithë Vushtrrisë dhe mbarë Kosovës. Është një plagë që mbetet e hapur në kujtesën tonë dhe një kujtim i përhershëm i çmimit të lirisë që gëzojmë sot. Sot, me respektin më të thellë, përulemi para kujtimit të viktimave të masakrës së Studimes. Përulemi edhe para qëndresës së familjeve të tyre, të cilat, mes dhimbjes së madhe, ruajtën dinjitetin, forcën dhe krenarinë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët e masakrës së 2 majit në Studime”, deklaroi kryetari Idrizi.
Në akademinë përkujtimore morën pjesë edhe U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, si dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.
Më 2 maj të vitit 1999, forcat serbe në fshatin Studime vranë 116 civilë shqiptarë, duke mos kursyer as fëmijët, gratë dhe pleqtë.





