Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara në agjendën zyrtare për shënimin e Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë, në ambientet e Kalasë së Qytetit u mbajt tryeza shkencore me temën: “Krimet serbe në Komunën e Vushtrrisë dhe rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 1998–1999”, e cila u organizua në bashkëpunim mes Komunës së Vushtrrisë dhe Departamentit të Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Kryetari Idrizi përmes një postimi publik njoftoi se kjo tryezë mblodhi historianë, profesorë, studiues dhe njohës të periudhës së luftës, të cilët përmes kumtesave të tyre sollën fakte dhe dëshmi mbi krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullatës së pafajshme të Vushtrrisë, si dhe mbi qëndresën dhe sakrificën e lavdishme të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më tutje, Kryetari Idrizi vlerësoi se ruajtja e kujtesës historike, dokumentimi i së vërtetës dhe përcjellja e saj tek brezat e rinj mbeten obligim i përhershëm i yni, në mënyrë që sakrifica për liri dhe e vërteta historike të mos harrohen kurrë.
Në fund, Kryetari Idrizi falënderoi panelistët dhe studiuesit që me kontributin, hulumtimet dhe kumtesat e tyre ndihmuan në ndriçimin e së vërtetës historike, duke dhënë kontribut të çmuar në ruajtjen e kujtesës sonë kolektive.


