Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi uron qytetarët e Vushtrrisë me rastin e Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë.
Kryetari Idrizi së bashku me kabinetin qeverisës, deputetin e Kuvendit të Kosovës, Gjeneralin Rrahman Rama, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe familjarët e dëshmorëve, bënë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Bletaj, duke nderuar me respekt të veçantë sakrificën dhe amanetin e tyre për një Kosovë të lirë.
“Në këtë ditë të shënuar për qytetin tonë, me respekt dhe mirënjohje të thellë, përulemi para veprës së atyre që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që e gëzojmë sot. Dëshmorët e kombit janë themeli i lirisë sonë, ndërsa kujtimi për ta mbetet i përjetshëm”, – u shpreh Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi.
Më tutje, z. Idrizi vlerësoi se 17 Qershori mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e Vushtrrisë, një ditë që na rikujton sakrificën e bijve dhe bijave më të mira të saj, të cilët me guxim dhe përkushtim bënë të mundur ardhjen e lirisë.
Urime Ditën e Çlirimit Vushtrri!

