Kalaja e Vjetër e Qytetit – Monumenti është i ndërtuar në pjesën qendrore të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë dhe tani gjendet po ashtu në një pjesë gati qendrore të qytetit. Ka mendime se Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë është ndërtuar në kohën e JUSTINJANIT I (527-565), në kohën e mesjetës, si dhe në kohën e Perandorisë Osmane e cila mund t’ju ketë shërbyer si han (bujtinë). Ajo ka një sipërfaqe rreth 1.100 m2, pjesë e së cilës është edhe pyrgu me sipërfaqe rreth 100 m2, kurse muret e saj janë të larta 10-12 m, ndërsa trashësia e mureve është 3–4 m.
Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri
Ura e Vjetër e Gurit – Mendohet se monumenti është ndërtuar në antikën e vonë dhe gjatë mesjetës. Ura është e ndërtuar në pjesën veripërendimore ë bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Ajo është e gjatë rreth 135 m dhe e gjerë rreth 6 m, e ndërtuar mbi 9 harqe, por sipas gojëdhënave thuhet se i kishte 12 harqe, të cilat janë të mbuluara me dhe. Ura e Gurit gjendet mbi shtratin e thatë të lumit “Silnicë”, uji i të cilit lumë, për shkak të përbërjes pedologjike e ndërroi rrjedhën disa dhjetëra metra në perëndim.
Hamami – (Banjoja Publike) në Vushtrri
Monumenti është i ndërtuar në pjesën veriperëndimore të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Kjo banjo përmendet nga kronikë dhe udhëpërshkrues të kohës, për të cilën mendohet se është ndërtuar në shekullin e XV, nga Gazi Ali Beu. Hamami është një ndër hamamet më të vjetra në Ballkan, i cili ka funksionuar deri vonë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai shërbente si banjo publike për meshkuj dhe femra, të cilët pastroheshin me radhë në ditë të caktuara