Në kuadër të festave të fundvitit, Komuna e Vushtrrisë ka organizuar një aktivitet festiv për fëmijët më të veçantë të Komunës, me pjesëmarrjen e fëmijëve nga shoqatat HANDIKOS dhe Down Syndrome Kosova.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se këta fëmijë e zbukurojnë çdo festë dhe theksoi se Komuna do të jetë gjithmonë pranë tyre dhe familjeve të tyre.
“Në çdo festë dhe aktivitet do të jemi bashkë dhe afër njëri-tjetrit, duke ndarë gëzimin dhe mirësinë. Le të festojmë bashkë me shumë dashuri”, tha Kryetari Idrizi.
Udhëheqësi i Shoqatës HANDIKOS, Isak Hyseni, falënderoi Kryetarin dhe Komunën e Vushtrrisë për mbështetjen e vazhdueshme që u ofrohet këtyre fëmijëve.
Në kuadër të këtij aktiviteti, me dhurata për fëmijët kontribuuan edhe disa biznese që operojnë në Komunën e Vushtrrisë. Interex dhe Emona Market kontribuuan me dhurata për fëmijët, pasticeria Mondo me ëmbëlsira, Innovation Academy ndau pesë bursa për fëmijët, Talent Hub ndau dy bursa, Art Media u përkujdes për argëtimin e fëmijëve me maskota, ndërsa restoranti City Grill ofroi hapësirën për zhvillimin e aktivitetit.
Komuna e Vushtrrisë falënderon të gjitha bizneset për kontributin e dhënë në realizimin e këtij aktiviteti.
Aktiviteti u organizua nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Ferit Idrizi, me përkujdesjen e Drejtorisë së Administratës dhe Sektorit për të Drejtat e Njeriut.





