Drejtoria për Inspektime gjatë ditës së sotme ka realizuar inspektime në terren për parandalimin e hedhjes së mbeturinave në vende publike. Gjatë këtyre inspektimeve janë evidentuar shkelje nga persona fizikë dhe juridikë, ndaj të cilëve janë shqiptuar dy gjoba mandatore dhe është urdhëruar largimi i menjëhershëm i mbeturinave nga hapësirat publike.
Gjobat janë shqiptuar duke u bazuar në Rregulloren për Shërbimet Publike Komunale, e cila parasheh që është e ndaluar hedhja e mbeturinave dhe materialit tjetër fundërrinor në shtretërit e lumenjve, përrenjve, në rrugë dhe në sipërfaqe tjera publike dhe kudo tjetër jashtë deponisë regjionale.
Drejtoria për Inspektime thekson se do të zbatojë politikë me zero tolerancë ndaj ndotësve të ambientit. Çdo person fizik apo juridik që hedh mbeturina në kundërshtim me rregulloren komunale do të përballet me masa të rrepta ligjore.
Njëkohësisht, apelojmë tek të gjithë qytetarët dhe bizneset që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e mjedisit, duke shfrytëzuar kontejnerët dhe hapësirat e dedikuara për mbeturina, respektuar oraret dhe rregullat për deponimin e mbeturinave, si dhe duke raportuar rastet e ndotjes tek organet kompetente.
Ruajtja e ambientit është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe respektimit të rregullave mund të sigurojmë një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë qytetarët e Komunës së Vushtrrisë.


