Pas përfundimit të procedurave, kryetari i komunës Bajram Mulaku ka nënshkruar kontratë për ndërtimin dhe menaxhimin e tregut të gjelbër të qytetit me kompaninë NTP “Riki” nga Vushtrria të cilin e përfaqëson Sami Ferizi.
“Objekt i kësaj kontrate është dhënia e lejes, nga ana e Komunës për hapjen dhe menaxhimin e tregut privat për tregtimin e pemëve dhe perimeve e mallrave tjera në lokacionin në pronësi të Sami Ferizit në sipërfaqe prej afër 1 hektari” ka thënë kreu i komunës Mulaku. Përmes një donacioni të Komisionit Evropian, në muajin shtator pritet të filloj ndërtimi i objektit të ri të komunës pikërisht në hapësirën ku aktualisht është tregu i gjelbër.
Përmes kësaj kontrate është precizuar se çmimet për shfrytëzimin e hapësirave në treg operatori ekonomik duhet harmonizuar me çmimet ekzistuese në tregun publik të menaxhuar deri më tani nga komuna.
Derisa kompania në fjalë merr përsipër ndërtimin e tregut, nga ana tjetër komuna thotë se ka ndarë mjetet për asfaltimin e rrugës “Hamit Hyseni” që shpie deri te ky treg.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes Mulaku u ka bërë thirrje tregtarëve të fillojnë me lidhjen e marrëveshjes së shfrytëzimit të hapësirave për tregun e ri, pasi që ka paralajmëruar se tregu aktual do të mbyllet për tu ndërtuar objekti i komunës. “Projekti i operatorit është ndërtimi i një kompleksi tejet modern të tregut me hapësira komode dhe ofron kushte optimale”, ka thënë Mulaku.
Sipas kësaj kontrate në afate prej 90 ditëve kompania ndërtuese dhe menaxhuese e tregut, pritet ta ndërtoj tregun sipas projektit ideor.
“Projekti i operatorit është ndërtimi i një kompleksi tejet modern të tregut me hapësira komode dhe ofron kushte optimale”, ka thënë Mulaku