Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se sot kanë filluar punimet për hapjen e rrugës në fshatin Kunovik, e cila ka qenë e pakalueshme për një kohë të gjatë.
I pari i Vushtrrisë tha se kjo rrugë do të bëhet funksionale dhe se hapja e saj do të mundësojë investime në agroturizëm në këtë fshat.
“Rruga që për një kohë të gjatë ka qenë e pakalueshme, më në fund po hapet dhe po bëhet funksionale për të gjithë banorët. Sot bashkë me ekipin, ishim në Kunovik për të parë nga afër fillimin e këtyre punimeve të shumëpritura. Tashmë këtij fshati të bukur po i hapet mundësia drejt zhvillimit dhe investimeve në agroturizëm”, deklaroi kryetari Idrizi.