Pas reshjeve të fundit të shiut, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka deklaruar se falë intervenimeve të mëparshme në rregullimin e shtretërve të lumenjve, situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk ka raportime për rrezik serioz për qytetarët.
Kryetari Idrizi aktualisht gjendet në terren, bashkë me ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar nga afër gjendjen. Të gjitha ekipet janë të gatshme për çdo ndërhyrje të nevojshme.
“Reshjet e fundit të shiut, të cilat kanë shkaktuar dëme dhe vështirësi në disa komuna të Kosovës, kanë kërkuar angazhim të shtuar të institucioneve dhe ekipeve të emergjencës edhe në komunën tonë. Falë intervenimeve të mëparshme në rregullimin e shtretërve të lumenjve, në Komunën e Vushtrrisë situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk kemi raportime për rrezik serioz për qytetarët. Në këtë situatë, shprehim solidaritetin tonë të plotë me komunat e tjera të Kosovës që po përballen me gjendje më të rënduar, duke shpresuar që situata të stabilizohet sa më shpejt dhe dëmet të tejkalohen me sa më pak pasoja për qytetarët”, deklaroi kryetari Idrizi.


