Komuna e Vushtrrisë, sot në mbledhjen e bordit të drejtorëve të kryesuar nga kryetari i komunës Bajam Mulaku ka dënuar ekcesin e shkaktuar dhe sulmin fizik ndaj ekipit televiziv të Klan Kosovës nga disa nga zjarrfikësit e njësisë në Vushtrrisë. Shprehim keqardhje për rastin, i cili një asnjë formë nuk do të duhej të ndodhte me asnjë nga mediat në Kosovë e aq më pak me ekipet televizive të Klan Kosovës, me të cilat komuna e Vushtrrisë ka bashkëpunim të shkëlqyer. Komuna e Vushtrrisë konform ligjit për shërbyesit civil ka iniciuar procedurat disiplinore dhe ndaj shkaktarëve të këtij sulmi fizik do të ndërmerren masa adekuate të përcaktuara me ligj. Kryetari i komunës Bajram Mulaku për rastin përmes telefonit keqardhje i ka shprehur Baton Haxhiut për lëndimin e njërit prej anëtarëve të këtij ekipi gjatë këtij ekcesi duke i dëshiruar atij shërimin sa më të shpejtë të lëndimeve që i janë shkaktuar. Komuna e Vushtrrisë shpreson në vazhdimin e bashkëpunimit me ekipet televizive të Klan Kosovës duke gjetur forcë për të tejkaluar këtë incident.