Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, në bashkëpunim me Drejtorinë për Arsim dhe Policinë në Komunitet, kanë realizuar ligjërata vetëdijesuese me nxënësit, në kuadër të fushatës kundër trafikimit me njerëz.
Ligjëratat janë mbajtur me nxënësit e klasave të 12-ta në tri shkollat e mesme, “Bahri Haxha”, “Lutfi Musiqi” dhe “Eqrem Çabej”.
Qëllimi i kësaj fushate është rritja e ndërgjegjësimit të të rinjve për rreziqet e trafikimit me njerëz, si dhe promovimi i vlerave të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore në institucionet arsimore dhe në komunitet.
Komuna e Vushtrrisë mbetet e përkushtuar në parandalimin e çdo forme të trafikimit me njerëz dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të siguruar një ambient të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.


