Sonte, Vushtrria u bë shtëpia e fjalës së bukur shqipe, duke mirëpritur poeteshat më të talentuara nga të gjitha trojet shqiptare, të cilat me poezitë e tyre u bënë pjesë e festivalit tradicional “Takimet e Poeteshave Shqiptare”, që këtë vit shënoi edicionin e 43-të.
Në hapje të festivalit, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se festivali “Takimet e Poeteshave Shqiptare”, prej më shumë se katër dekadash, e lartëson fjalën e bukur shqipe përmes zërit të poeteshave shqiptare, duke ruajtur dhe nderuar krijimtarinë e tyre të jashtëzakonshme.
“Urime nga zemra fitueseve të këtij edicioni, të cilat me krijimtarinë e tyre e bënë këtë mbrëmje të paharrueshme. Nderim e mirënjohje për çdo poeteshë pjesëmarrëse që e ndau artin e saj me ne. Vushtrria do të vazhdojë të mbetet shtëpia e fjalës së bukur shqipe.”, tha kryetari Idrizi.
Fituese të edicionit të 43-të të festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare” u shpallën:
Vendi i parë: Blerina Tërbunja me poezinë “Zjarr në lëkurë”
Vendi i dytë: Silda Anagnosti me poezinë “Çasti…që gratë pas meje të ecin larg”
Vendi i tretë: Remzije Zekolli me poezinë “Në Trojë” & Klodiana Mehmeti me poezinë “Thjeshtësia, bijë”
Debutuesja e Festivalit: Jehona Demiri me poezinë “Takat”
Në kuadër të festivalit u hap edhe ekspozita kolektive “Ndjenja”, e cila prezanton një koleksion veprash të artistëve nga Vushtrria dhe nga qytete të ndryshme të Kosovës, të realizuara nën mbikëqyrjen e artistes Fjolla Ferati. Kjo ekspozitë i dha festivalit një dimension të ri artistik, duke ndërthurur poezinë me artin pamor.







