Sot Qendra e Kulturës “Hasan Prishtina” u mbush me tingujt e këngës tradicionale, ngjyrat e artit dhe buzëqeshjet e fëmijëve, në finalen madhështore të festivalit “Zëbylbylat e Vicianës”.
Ky festival i organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Drejtoria për Arsim, në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Hasan Prishtina” është kthyer në një simbol të gjallë të lidhjes mes brezave dhe trashëgimisë sonë të pasur kulturore.
Hapja e finales u bë nga kryetari i Komuës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili tha se organizimi i këtij festivali është dëshmi e përkushtimit për të promovuar talentët e rinj të qytetit tonë.
“Skena e sotme ishte madhështore pikërisht nga ata që janë zë bylbylat që çelin çdo pranverë me gëzim, kreativitet dhe dashuri për artin. Falënderime të veçanta për të gjithë organizatorët, mësimdhënësit, prindërit dhe mbi të gjitha fëmijët që e bënë këtë ditë kaq të paharrueshme”, tha kryetari Idrizi.