Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Vushtrri të enjten kanë filluar vitin e ri shkollor. Sipas Qerim Selimit drejtor i arsimit, mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e Vushtrrisë. Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2011/2012 kryetari i komunës Bajram Mulaku ka përgëzuar nxënësit e arsimtarët. “Të gjithë personelit arsimor, nxënësve e në veçanti vogëlushëve e vogëlusheve që për herë të parë hyjnë në udhën e bukur të diturisë, ju uroj fillimin e shkollimit duke ju dëshiruar punë të mbarë dhe suksese”, thuhet në urimin e kryetarit të komunës Bajram Mulaku. Kryetari i komunës Mulaku i shoqëruar edhe nga drejtori komunal i arsimit, Qerim Selimi ka vizituar shkollën e mesme teknike “Lutfi Musiqi” në qytet, ku i ka përgëzuar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e mësimit. Në ditën e parë të fillimit të mësimit, Mulaku në takime të ndara ka takuar arsimtarët por edhe nxënësit e shkollës. Ai ka porositur nxënësit që të kushtojnë shumë rëndësi mësimnxënies. “Synim i Kosovës është rritja e cilësisë në arsim për të qenë konkurrent me vendet e rajonit por edhe Evropës”, ka thënë Mulaku.
Sipas Murtez Dallkut, menaxher i arsimit të mesëm të lartë në drejtorinë komunale të arsimit, numri i përgjithshëm i nxënësve në Vushtrri këtë vit duke përfshirë edhe arsimin parafillor është 17 952 nxënës, derisa për herë të parë në bankat shkollore këtë vit në Vushtrri janë ulur 1426 nxënës. Për dallim nga dy vitet e fundit, këtë vit numri i nxënësve të klasës së parë është rritur për mbi 200 nxënës.
“Synim i Kosovës është rritja e cilësisë në arsim për të qenë konkurrent me vendet e rajonit por edhe Evropës”, ka thënë Mulaku