Në 2-vjetorin e rënies heroike në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit, me nder dhe krenari sot është përkujtuar heroi, rreshteri Afrim Bunjaku.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, së bashku me bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh pranë varrit të heroit Afrim Bunjaku, e më pas kanë vizituar edhe familjen e tij në fshatin Samadrexhë.
“Në këtë ditë përkujtimi, bëmë homazhe pranë varrit të tij dhe vizituam familjen Bunjaku, duke përcjellë mirënjohjen dhe respektin e qytetit tonë për sakrificën supreme që ai bëri. Afrimi ishte baba e qytetar i ndershëm i Vushtrrisë tonë, që u përball me guxim ndaj një sulmi të organizuar ushtarakisht e të financuar nga Serbia. Rënia e tij nuk është vetëm humbje për familjen, por plagë e përbashkët për gjithë Kosovën. Heroi ynë do të mbetet përjetësisht shembull i trimërisë dhe përkushtimit ndaj atdheut. Lavdi e përjetshme Afrim Bunjakut”, deklaroi kryetari Idrizi.




