Qeveria e SHBA-ve ka financuar projektin për restaurimin e Kalasë Antike të Vushtrrisë. Në promovimin e fillimit të punimeve në Kala përveç ministrit të kulturës Memli Krasniqi, kanë marrë pjesë edhe zëvendës Shefit të Misionit në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë Majkël Mërfi, kryetari i Komunës Bajram Mulaku, dhe drejtori i “Trashëgimisë Kulturore pa Kufij”, Sali Shoshi.
Duke falënderuar qeverinë e SHBA-ve, këtë projekt kryetari i komunës Bajram Mulaku e ka vlerësuar tepër të rëndësishëm për mbrojtjen e Kalasë për të cilën tha se është në gjendje tepër të rëndë. “Në gjendje të njëjtë i kemi edhe të monumenteve tjera të Vushtrrisë ku ne si autoritete komunale do të punojmë që brenda pak kohe jo vetëm Kalaja por edhe monumentet e tjera të kenë tretmanin e duhur ku Vushtrria do të krenohet me trashëgimin e saj ”, tha Mulaku.
Ministri i kulturës Memli Krasniqi dha premtime se do të bëhet krejt çka është e mundur të ndihmohen këto objekte jo vetëm në qytetin e Vushtrrisë por në gjithë Kosovën të cilat tregojnë për lashtësinë e kulturës sonë por edhe për vlerat tona.
“Kultura e Kosovës është jashtëzakonisht e pasur me ndikime nga popuj të ndryshëm dhe grupe etnike të ndryshme. Për të siguruar një të ardhme të zhvilluar dhe për t’u mburrur ne duhet të sigurojmë se çdo pjesë e së kaluarës shumë etnike të çmohet dhe të ruhet”, ka thënë zëvendës shefi i ambasadës amerikane Mërfi. Ai bëri të ditur se për këtë projekt Qeveria e SHBA-së ka ndarë 53.870 dollarë.
Në këtë projekt Qeveria e SHBA-së ka ndarë 53.870 dollarë