
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka thënë se vënia e gurthemelit të kësaj kulle është nderim dhe përjetësim i figurës dhe veprës së Azem Galicës.
Ndërsa, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se populli ynë nëpër shekuj ka jetuar me lavdin e bëmave të heronjve të historisë, dhe më të drejtë radhitet ndër kombet e mëdha me histori të bujshme dhe heroike.
Për figurën e Azem Bejtës kanë folur edhe historiani Liman Rushiti Sala Ahmeti, ndërsa në emër të galicasve foli shkrimtari Bedri Tahiri.
Me rastin e 86 vjetorit të rënies së heroit kombëtar Azem Bejtë Galica, në fshatin e lindjes së tij në Galicë u vu gurthemeli i kullës së tij. Gurthemelin e Kullës e kanë vënë kryetari i parlamentit Jakup Krasniqi, përfaqësuesi i familjes emblematike të Kosovës Rifat Jashari, Ali Ahmeti kryetar i BDI-së në Maqedoni dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se kulla e Azem Galicës nuk ishte vetëm një objekt banimi me vlera të traditës sonë të pasur të arkitekturës popullore, por edhe kështjellë e pamposhtur e qëndresës shqiptare ndër vite. Kullat si ajo e Isë Boletinit, e Ahmet Delisë, e Azem Galicës, e Tahir Mehës, e Adem Jasharit e shumë objekte tjera, me këtë rast kryeparlamentari Krasniqi i ka vlerësuar objekte të shenjta historike të baladave e legjendave të vërteta shqiptare.