Çmimi i parë i konkursit letrar të poezisë Takimet e poeteshave shqiptare, këtë vit është ndarë ndërmjet dy poeteve, poetes Yllka Filipi nga Tirana me poezinë “Sëpata” dhe poetes Punëtorie Ziba nga Shkupi me poezinë “Një rrugë Kolosit të filmit, Bekim Fehmiut”.
Edhe vendi i dytë është ndarë mes dy poeteve Linditë Ramushi nga Gjilani me poezinë “Më lerë të psherëtijë” dhe Aida Rexhepi me poezinë “Duan të na marrin”. Ndërkaq vendi i tretë është ndarë mes poetes Shefqete Gosalci nga Prishtina me poezinë “Fole mbi dallgë” dhe poetes vushtrriase që jeton e krijon në Gjermani Sevëme Fetiqi me poezinë “Macja me virtyte”.
Me një çmim special të drejtorisë së arsimit është shpërblyer poetja tiranase me aftësi të kufizuara Venka Capa. Ndërkaq Teisa Haxhiu është shpërblyer me prurjen e re më të mirë në këtë festival.
Yllka Filipi për çmimin e fituar tha se ndjehet e lumtur që është shpërblyer në këtë festival që lartëson vlerat e krijuese të femrës dhe botën e saj shpirtërore. Ndërkaq Arsim Rexhepi, kryetar i jurisë tha se kanë pas detyrë të vështirë të zgjedhin mes këtyre poezive. Ai ka dhënë vlerësimin e jurisë për vlerat e secilës prej poezive.
Ndryshe nga vitet e kaluara, në ditën e dytë ky manifestim është zhvendosur në ambient të hapur në majat e maleve të “Çyçavicës” në lartësinë mbidetare 1091 metra, ku përveç aktiviteteve kulturore, poetet janë shërbyer por edhe kanë përgatitur vet ushqim tradicional.
.