Në fshatin Reznik të Komunës së Vushtrrisë u zbulua pllaka përkujtimore kushtuar 27-vjetorit të ofensivës serbe të 22 shtatorit 1998, gjatë së cilës mbi 50 mijë civilë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre që po digjeshin dhe granatoheshin në tërë Kosovën.
Në xhaminë e këtij fshati, aty ku është vendosur edhe pllaka përkujtimore, u grumbulluan të shpërngulurit shqiptarë nga zonat e prekura të luftës, ndërsa vizita e Komisares së Lartë të OKB-së për Refugjatë, znj. Sadako Ogata, më 24 shtator 1998, parandaloi një masakër të planifikuar nga forcat serbe mbi këta civilë.
Ceremonia e zbulimit të pllakës përkujtimore u organizua nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, i cili tha se kjo pllakë është dëshmi e vuajtjeve të popullit shqiptar, por edhe e mikpritjes së banorëve të Reznikut dhe fshatrave përreth, të cilët hapën dyert e tyre për të strehuar të dëbuarit.
“Ky kujtim mbetet dëshmi e vuajtjeve të popullit tonë, por edhe e mikpritjes së banorëve të Reznikut dhe fshatrave përreth, të cilët hapën dyert e tyre për të strehuar të dëbuarit”, tha kryetari Idrizi.




