Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot është mbajtur koncerti “Zërat e vegjël”, i realizuar nga vogëlushët e institucioneve parashkollore të komunës sonë.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se më të vegjlit e komunës na dhuruan momente magjike përmes këngëve dhe valleve popullore kushtuar Kosovës.
“Vogëlushët nga institucionet parashkollore i kënduan Kosovës me dashuri dhe krenari, duke na rikujtuar se liria dhe atdheu janë vlerat më të çmuara që na bashkojnë të gjithëve. Faleminderit të gjithë vogëlushëve që e bënë këtë ditë të paharrueshme!
”, deklaroi kryetari Idrizi.
Koncerti “Zërat e vegjël” u organizua nën patronazhin e Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, me përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Drejtorisë për Arsim.




