Vushtrria si komunë ka pozitë të përshtatshme gjeografike dhe ekonomike. Territori i Komunës së Vushtrrisë gjendet në pjesën veriore të Kosovës. Komuna shtrihet në drejtim veri‐jug (gjatësia maksimale afro 34 km) dhe diç më e zgjeruar në mes (gjerësia maksimale afro 23 km) me një gjatësi të vijës kufitare prej afro 104.5 km. Territori i komunës gjendet në mes të këtyre koordinatave gjeografike: X1 : 200 50’ 09” dhe X2 : 210 07’ 05”; Y1 : 420 42’ 20” dhe Y2 : 420 55’ 12” Komuna e Vushtrrisë shtrihet në pjesën veriperëndimore të Rrafshit të Kosovës, në zonën ku afrohen bjeshkët e Shalës dhe Çyqavicës, bri lumit Silnica. Vushtrria është qytet historik i njohur që nga koha bizantine ilire-romake dhe me emërtime të ndryshme. Vushtrria është qendër komunale në të cilin gravitojnë 67 lokalitete të banuara. Territori i komunës përfshin një sipërfaqe prej 345 km2, gjersa në vitin 1981 në bazë të regjistrimit të popullsisë kishte 65.671 banorë me strukturë të përzier etnike, që rreth 90% i takojnë etnisë shqiptare. Regjistrimi i popullsisë dhe ekonomive familjare të realizuara në vitin 2011 në Komunën e Vushtrrisë i ka dhënë këto rezultate: numri i banorëve të Komunës së Vushtrrisë sipas regjistrimit të popullsisë të kryer në vitin 2011 është 69.870 banorë (duke mos përfshirë një numër të popullsisë serbe që nuk kanë marrë pjesë në regjistrim), ndërsa dendësia e popullsisë është 202.5 banorë / për km2. Komuna e Vushtrrisë ka 11.872 ekonomi familjare, prej tyre 4,890 shtrihen në zona urbane dhe 6,976 në atë rurale, po ashtu ka një popullsi të re dhe të aftë për punë. Lumi Silnica, kanali i sistemit Ibër-Lepenc, përroskat Tërstena, e Sllakocit, e Studimes, e Smrekonicës, e Dumnicës dhe e Brusnikut konsiderohen të jenë rrjeti kryesor hidrografik i saj. Dy të tretat e territorit të komunës është pjesë rrafshinore. Rrafshi i komunës e sidomos lugina përgjatë lumit Silnica është tokë me potenciale të mundshme për zhvillimin e bujqësisë intensive dhe zhvillim të agroindustrisë. Komuna e Vushtrrisë është qendër me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, falë tokës pjellore që ofron kushte të volitshme për kultivimin e të gjitha kulturave bujqësore, ku Komuna e Vushtrrisë prin në prodhimin dhe përpunimin e patates. Vushtrria ka një infrastrukturë relativisht të mirë, duke cituar se përveç rrjetit rrugor ka një lidhje shumë të mirë me qytetet e tjera të Kosovës edhe nëpërmjet rrjetit hekurudhor. Largësia nga kryeqendra e Kosovës, Prishtina, është 25 km., ndërsa nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është 42 km.