Pas homazheve në nderim të të rënëve për liri, në 27-vjetorin e Çlirimit të Vushtrrisë, vazhduan aktivitetet e tjera: “Marshi për Çlirim”, ku nxënës të shumtë vushtrrias defiluan nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit, si dhe Akademia Solemne, e cila iu kushtua kësaj date të rëndësishme në historinë e qytetit.
Në këtë akademi, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, përkujtoi të gjithë ata që kontribuuan në rrugëtimin tonë drejt lirisë, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve, luftëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut për çlirimin e Vushtrrisë dhe të Kosovës.
Në këtë ditë të shënuar, u nderuan me dekorata personalitete që, me veprën, punën dhe angazhimin e tyre, kanë lënë gjurmë të çmuara në qytetin tonë:
𝐍𝐞𝐬𝐢𝐦 𝐈𝐬𝐩𝐚𝐡𝐢𝐮 – “𝐍𝐝𝐞𝐫𝐢 𝐢 𝐐𝐲𝐭𝐞𝐭𝐢𝐭”
𝐉𝐚𝐧𝐮𝐳 𝐇𝐚𝐥𝐢𝐥𝐢 – “𝐄𝐦𝐛𝐥𝐞𝐦𝐚 𝐞 𝐕𝐮𝐬𝐡𝐭𝐫𝐫𝐢𝐬ë”
Gjithashtu, u ndanë mirënjohje për çlirimtarë dhe veprimtarë të tjerë, në shenjë respekti dhe falënderimi për kontributin e tyre për lirinë dhe vendin.
Akademia u përmbyll me një program të pasur artistik, ku performuan Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Hasan Prishtina”, si dhe mysafirët specialë Ismet Bexheti dhe Arbnora Zogjani, duke i dhënë një atmosferë të veçantë kësaj mbrëmjeje.
Në këtë ditë, Kryetari Idrizi uroi të gjithë qytetarët për 17 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Vushtrrisë.




