Familja Shabani nga dita e sotme nuk jeton më në shtëpinë e cila gjasonte një kasolle të vjetër buzë rrënimit pa banjo e kushte elementare jetese. Ajo sot mori çelësat e shtëpisë së re të ndërtuar me mjetet vetanake nga kompania “Ariani” të vëllezërve Imeri. Rushiti kryefamiljar i kësaj familje ndihej tani i lehtësuar pasi fëmijët kanë kushte elementare të jetesës dhe banimit. “Falënderoj të gjithë iniciatorët për të ardhur në këtë ditë, që nga mësuesja e shkollës ku i kam fëmijët e deri te deputeti i Parlamentit të Kosovës Kurtan Kajtazi, gjersa falënderim të veçantë ka donatori i cili e ndërtoi dhe mobiloi tërë objektin”, thotë Shabani.
Pronari dhe ndërtuesi i kësaj kompanie e cila ndërtoi këto shtëpi për këtë familje Naser Imeri thotë se ndjehet shumë i lumtur që ka kushtet për të ndihmuar familjet nevojtare. “Në ndërtim të kësaj shtëpie kemi shpenzuar 20 mijë euro, por që ato nuk kanë peshë, karshi ndjenjës që kam sot kur po i shoh të lumtur fëmijët e bashkëshortëve Shabani.”, thotë Imeri.
Ndryshe akti human i kësaj kompanie në ndërtim të shtëpive nuk është i vetëm. “Në këto katër vitet e fundit kemi ndërtuar 10 shtëpi të tilla për familjet që janë në gjendje të rëndë social, derisa këtyre ditëve në Veri të Mitrovicës e fillojmë së ndërtuari një shtëpi të re për familjet e tilla”, thotë Imeri.
Në aktin solemn të dorëzimit të çelësave të shtëpisë së kësaj familje ishte edhe kryetari i komunës Bajram Mulaku i cili falënderoi donatorët për aktin human, derisa familjes Shabani i dëshiroi shëndet dhe mirëqenie në shtëpinë e re.
Familja 5 anëtarëshe e Rushit Shabanit sot ka hyrë në shtëpi të re të cilën ia ndërtoi dhe mobiloi të tërën kompania “Ariani” nga Vushtrria, ku investoi rreth 20 mijë euro