Në një atmosferë të jashtëzakonshme, në sheshin e Vushtrrisë, sot filloi Festivali i Patates, i cili bashkoi traditën, kulturën, gastronominë dhe prodhuesit vendorë.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja, zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, z. Ali Dula, kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, z. Agim Shahini, koordinatorin e Zyrës së TIKA-së, z. Mehmet Taha Dogan, përfaqësuesin e kompanisë VIPA Chips, nënkryetarin e Komunës së Vushtrrisë, z. Shpëtim Zhegrova, kryesuesen e Kuvendit, znj. Melihate Basholli-Latifi, drejtorin për Bujqësi, z. Besim Shyti, kabinetin qeveritar si dhe qytetarë të shumtë, patën mundësinë të shohin nga afër punën dhe produktet e fermerëve dhe bizneseve tona.
Në hapje të festivalit, kryetari Idrizi tha se ky festival është organizuar me qëllim të promovimit të punës së fermerëve tanë dhe prodhuesve vendorë.
“Patatja është një nga produktet që më së miri tregon lidhjen e Vushtrrisë me bujqësinë, por mbi të gjitha është rezultat i punës, përkushtimit dhe djersës së fermerëve tanë. ”, deklaroi kryetari Idrizi.
Ky festival u organizua nga Drejtoria për Bujqësi e Komunës së Vushtrrisë, në bashkëpunim me OJQ “Artnatyra20”, ndërsa u mbështet edhe nga kompani të tjera vendore.
Festivali i Patates do të vazhdojë edhe për dy ditë, më 9 dhe 10 tetor.


