Përveç dy rrugëve tjera ekzistuese, territori i komunës së Vushtrrisë dhe ai i Mitrovicës po lidhet edhe me një rrugë të tretë alternative në rajonin e Shalës së Bajgorës. Me investime të përbashkëta të Ministrisë së administrimit të pushtetit lokal dhe dy komuna Vushtrri e Mitrovicë, ka nisur asfaltimi i rrugës Pasomë – Rashan në gjatësi 2.1 kilometër. Në mbikëqyrjen e punimeve të kësaj rruge të martën në atë zonë ka qëndruar nënkryetari i komunës së Vushtrrisë Dibran Perçuku, bashkë me drejtorin e shërbimeve publike Sami Istrefin, dhe drejtori i shërbimeve publike të komunës së Mitrovicës Rasim Veseli.
Kjo rrugë e cila gjatë luftës së fundit kishte rëndësi shumë të madhe dhe që shërbente për furnizimin e UÇK-së, nënkryetari i Vushtrrisë Perçuku tha se ajo rrugë tani ka rëndësi të madhe edhe për krijimin e kushteve për zhvillimin e turizimit malor dhe zhvillimit ekonomik të fshatrave të rajonit të Shalës si të komunës së Mitrovicës ashtu edhe të Vushtrrisë. “Me këtë rrugë tani do të shkurtohet shumë rruga e banorëve të Rashanit por edhe Tërrstenës deri në qytetin e Vushtrrisë”, ka thënë Perçuku.
Ndërkaq Rasim Veseli e ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë që komuna e Mitrovicës ka me komunën e Vushtrrisë si dhe ka paralajmëruar edhe bashkëpunime tjera në të ardhmen.
Përveç asfaltimit të disa segmenteve të kësaj rruge vite më parë, para disa vitesh nga njësi të FSK-së ishte bërë edhe hapja e trasesë së asaj rruge e cila tani po asfaltohet.
Ndërtimi i kësaj rruge në gjatësi 2.1 kilometër është kontraktuar me 165 mijë euro nga kompania “Jehona”. Derisa Ministria e administrimit të pushtetit lokal ka investuar 95 mijë euro, dy komunat kanë marrë pjesë në investime me nga 35 mijë euro.
“Kjo rrugë tani ka rëndësi të madhe edhe për krijimin e kushteve për zhvillimin e turizimit malor dhe zhvillimit ekonomik të fshatrave të rajonit të Shalës si të komunës së Mitrovicës ashtu edhe të Vushtrrisë”, tha nënkryetari i komunës së Vushtrrisë Dibran Perçuku