Në vazhdën e reformave që është duke i bërë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për përmirësimin e klimës së bërjes biznes në Kosovë. Sot në Qendrën për Regjistrimin e Bizneseve në Vushtrri për herë të parë në Kosovë ka filluar implementimi i sistemit të integruar të regjistrimit të bizneseve. Instalimi i këtij nën-programi për bizneset fillestare, të cilat krahas regjistrimit të biznesit fillestar dhe marrjes së numrit të biznesit mund të pajisen edhe me numrin fiskal, certifikatën e TVSH-së dhe certifikatën për import-eksport. Për të promovuar këtë pilot-projekt, Komunën e Vushtrrisë e vizitoi kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit për Regjistrim të Bizneseve, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë Gazmend Mejzini. “Po thjeshtojmë procedurat e regjistrimit të biznesit, afatet kohore dhe përcaktimi që të gjitha të kryhen në një vend” theksoi Mejzini. Sipas tij një ndër faktorët kryesorë në përzgjedhjen e Komunës së Vushtrrisë për të filluar me zbatueshmërinë e këtij projekti, ka qenë përformanca e shkëlqyer e punës së qendrës lokale të regjistrimit të bizneseve. Ai është i bindur se të gjitha këto ndryshime të iniciuara nga Qeveria e Kosovës për përmirësim të klimës së të bërit biznes, sigurisht që do ta avancojnë dhe ndryshojnë në aspektin pozitiv rangimin e Kosovës në raportet vijuese të Bankës Botërore.
Nënkryetari i komunës Dibran Përçuku, gjatë kësaj ceremonie ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e institucioneve lokale për të thelluar bashkëpunimin me agjencionin dhe ministrinë, me qëllim të krijimit të një ambienti sa më të favorshëm dhe lehtësues për bizneset. Shaip Neziri- menaxher lokal i Qendrës për Regjistrim të Bizneseve është shprehur i gatshëm për të filluar me implementimin e këtij projekti. “Qendra jonë ka kushtet teknike por edhe personelin për të startuar me sukses në implementim të këtij projekti” tha Neziri.
Qendra komunale e biznesit të pajisen edhe me numrin fiskal, certifikatën e TVSH-së dhe certifikatën për import-eksport