Korniza Afatmesme Buxhetore e Komunës së Vushtrrisë për vitin 2013-2015 e përgatitur nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa së bashku me drejtoritë tjera komunale dhe në bashkëpunim me USAID-in ka kaluar për shqyrtim final në kuvendin komunal me vota unanime të këshilltarëve. Në kornizë, në deklaratën e komunës në lidhje me prioritetet strategjike zhvillimore i bëhet një përkushtim i shkurtër i Komunës së Vushtrrisë. “Komuna e Vushtrrisë sipas shënimeve të regjistrimit të popullsisë rezultate preliminare ka 70.145 banorë rezident me 11.8722 ekonomi familjare“ thuhet në kornizë. Tutje shpjegohet që në komunë të jenë të regjistruara 2893 biznese, gjersa për vizionin e komunës, për vitet ardhshme thuhet të jetë një qendër e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, me urbanizëm modern dhe shërbime efikase e kualitative e integruar në proceset rajonale dhe ndërkombëtare, si një qendër e kulturës së pasur, arsimit dhe jetës sportive me shërbime financiare të zhvilluare dhe ofrim të një kualiteti të mirë të jetesës për qytetarët e saj.
Sipas kornizës, prioritetet strategjike të Qeverisë Komunale janë të përmbledhura në tri shtylla: Forcimi i Ekonomisë Komunale, duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë; Përmirësimi i shëndetësisë dhe mirëqenies së qytetarëve dhe Përmirësim të ambientit.
Aktualisht financimi komunal përfshinë të hyrat vetanake dhe grantet operative, të cilat kanë shënuar rritje nga viti në vit. Të hyrat totale komunale për vitin 2012 janë 12.492.512€, gjersa planifikohet që vitet pasuese të arrijnë në mbi 14 milionë. Komuna në periudhën afatmesme buxhetore nuk planifikon të marrë të hyra nga institucionet financiare për realizim të projekteve: “Parimisht ne nuk jemi të interesuar për të hyra të tilla, por që nuk e përjashtojnë ndonjë mundësi e tillë investimi nëse është interesi i madh i qytetarëve të kësaj komune” ka thënë kryetari i komunës Bajram Mulaku para këshilltarëve të kuvendit komunal.
Opozita mbështet hartimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore
Shefi i grupit parlamentar i LDK-së Refik Ramaj ka përshëndetur hartimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore. “Në përgjithësi dhe në tërë kompleksitetin që ka kjo kornizë, konsiderohet më e avancuar. Vizioni i saj me një përmirësim të vogël del të jetë i shkëlqyer dhe me ca përmirësime e mbështesim” ka thënë Ramaj.
Këshilltari komunal nga radhët e AKR-së Muharrem Shabani gjithashtu ka mbështetur hartimin e kornizës duke sugjeruar që ajo të jetë në parametra sa më real. “Ne si komunë pasi duhet ta definojmë saktë numrin e banorëve e jo ajo shifër të varrojë, pastaj qartësi në numër të bizneseve dhe ndarje të saktë të tyre në: prodhuese, shërbyese e tregtare” ka thënë Shabani. Ai gjithashtu ka kërkuar qartësi më të mëdha në angazhimet tek politika sociale” Në kornizë në vitet 2013-15 vërehet një rënie buxhetore tek investimet kapitale dhe rritje të fondeve në subvencione në favor të politikave sociale, andaj duhet pasur qartësi të zhvillimit të politikave sociale” ka thënë. Korniza Afatmesme Buxhetore gjer tek debati në kuvend ka kaluar pas një mori dëgjimesh publike të zhvilluara me qytetarë në qytet dhe Bashkësi Lokale. Dëgjimi publik i fundit për qytetarët e kësaj komune është paraparë të mbahet me 24 gusht në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”. Ajo pritet që në shtator të harmonizohet në kuadër të Kornizës Afatmesme Buxhetore të Kosovës dhe buxhetin për vitin 2013.
Aktualisht financimi komunal përfshinë të hyrat vetanake dhe grantet operative, të cilat kanë shënuar rritje nga viti në vit. Të hyrat totale komunale për vitin 2012 janë 12.492.512€, gjersa planifikohet që vitet pasuese të arrijnë në mbi 14 milionë