Në ambientet e sallës së kuvendit komunal nën prezencën e mbi 50 qytetarëve u mbajt takimi përmbyllës i dëgjimit publik për buxhetin komunal për vitin 2013-2015. Ky takim vie pas dhjetëra takimeve të tilla të mbajtura në bashkësitë lokale të komunës. Debatin me qytetarë e udhëhoqi kryesuesi i kuvendit komunal- Habib Mustafa, por që prezent ishin edhe zyrtarë tjerë nga ekzekutivi i komunës. “Para aprovimit të buxhetit dëshirojmë t’i dëgjojmë kërkesat e qytetarëve në mënyrë që gjatë realizimit të tyre të përcaktohen prioritetet” theksoi Mustafa. Ai gjithashtu ka falënderuar USAID-in programi DEMI për mbështetjen në realizim të dëgjimeve të tilla publike. Në debat kërkesat e tyre i paraqitën 14 qytetarë, të cilat kryesisht kishin të bënin me rregullim të infrastrukturës rrugore, rrjetit të ujësjellësit, kanalizimeve etj. Qytetari Isa Latifi nga fshati Sfaraçak kërkoi që rruga dhe kanalizimi drejt këtij fshati të hyjë në prioritetet e buxhetit. Kërkesë të tillë pati edhe Sali Mustafa nga fshati Mihaliq, Burim Gjaka nga Ashlani i cili kërkoi asfaltim të lagjes së fshatit “Sheremeti –Shyti” pastaj Xhevdet Parduzi kërkoi përfshirjen në asfaltimin e rrugës Ceceli-Kunovik, Hysen Sfarça asfaltimin e rrugës nga varrezat e qytetit gjer tek fshati Studime, lagjja ku ai banon, Valdet Halili gjithashtu kërkoi asfaltim të rrugëve lokale të fshatit etj. 8 qytetarë nga fshatra të ndryshme të komunës patën vërejtje të mëdha në rrjetin elektrik i cili i tillë si është paraqet rrezik për qytetarët. Gjithashtu qytetarët kërkuan që fshatra të tëra të përfshihen në instalim të rrjetit të ujësjellësit, gjersa qytetarja Fatmire Duraku nga fshati Stanoc kërkoi angazhim më të madh në mirëmbajtje të lumenjve.
Vëmendje tek qytetarët paraqiti diskutimi i Latif Gërxhaliut nga fshati Studime e Ulët i cili kërkoi nga kuvendi komunal vëmendje më të madhe për investimet në atë fshat. “Janë 117 viktima, të cilat u shkaktuan në këtë fshat dhe mendojmë që banorët e tij meritojnë të kenë një objekt shkollor të rinovuar, rrugë të riasfaltuar dhe rrjet kanalizimi” tha Gërxhaliu. Drejtori i Buxhetit Isuf Jashari u premtoi qytetarëve se prioritetet buxhetore të komunës do të hartohen konform kërkesave të qytetarëve: “Të gjitha kërkesat është e pamundur të realizohen brenda një viti kalendarik ku kemi 3 milionë e 824 mijë euro investime kapitale, por do të veprohet duke evidentuar prioritetet e çdo viti” tha Jashari.
Qytetarët kanë paraqitur kërkesat që kanë të bëjnë të cilat kryesisht me rregullim të infrastrukturës rrugore, rrjetit të ujësjellësit, kanalizimeve etj