Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me Bibliotekën “Naim Frashëri”, kanë shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Librit, me një aktivitet artistik.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe nënkryetarja e Komunës së Vushtrrisë, Hava Mlinaku, dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Për nder të kësaj dite, janë ndarë mirënjohje për kontribuues të veçantë që me përkushtimin e tyre pasurojnë jetën kulturore të qytetit tonë: u vlerësua punëtori i dalluar i Bibliotekës “Naim Frashëri”, u nderua poeti dhe mjeshtri i fotografisë, z. Nesim Ispahiu.
Po ashtu, u shpreh mirënjohje për dhuruesit e librave, familjen e z. Ferit Dibrani, z. Sami Plakolli nga Libraria MIGROS dhe drejtoreshën e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, znj. Teuta Shala-Peli, për kontributin në pasurimin e fondit bibliotekar.
Ndërsa, lexuesit më të dalluar, si nga sektori për fëmijë ashtu edhe për të rritur, u nderuan për dashurinë dhe përkushtimin ndaj librit.