Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Grupi Punues për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal, ka mbajtur takim publik me operatorët ekonomikë që operojnë në komunën tonë me qëllim të prezantimit të gjetjeve fillestare dhe vlerësimit të gjendjes ekzistuese si hap i parë në procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK).
Ky takim u zhvillua në sallën e Kuvendit të Komunës dhe mblodhi një spektër të gjerë të operatorëve ekonomikë të cilët shprehën interesimin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Komunën e Vushtrrisë.
Takimi u hap nga përfaqësuesi i Komunës, Qemajl Hasani, i cili theksoi rëndësinë e Planit Zhvillimor Komunal si dokument strategjik afatgjatë që do të udhëheqë zhvillimin hapësinor, ekonomik, social dhe mjedisor të komunës për vitet në vijim.
Në vazhdimësi të prezantimit, ekspertët e angazhuar nga Instituti për Shkencë dhe Teknologji – INSI për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal, prezantuan analizën e gjendjes ekzistuese të territorit komunal, duke përfshirë të dhëna për Zhvillimin Urban dhe Rural, Infrastrukturën, Ekonominë, Resurset Natyrore, Mjedisin, Shërbimet Publike dhe Demografinë.
Gjatë prezantimit u theksuan sfidat aktuale me të cilat përballet komuna, si dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Pas prezantimit, pjesëmarrësit patën mundësi të parashtrojnë pyetje, të japin komente dhe të ndajnë rekomandime konkrete në lidhje me gatishmërinë e operatorëve ekonomikë për të planifikuar gjatë kësaj faze investimet e tyre në të mirë të qytetarëve në Komunën e Vushtrrisë.
Kontributet dhe sugjerimet e marra gjatë këtij takimi do të shërbejnë si bazë e rëndësishme për fazat e ardhshme të procesit planifikues, me synimin që Plani Zhvillimor Komunal të jetë një dokument gjithëpërfshirës, i ndërtuar mbi nevojat reale të qytetarëve dhe potencialet e territorit të Vushtrrisë.
Takimi u vlerësua si shumë konstruktiv dhe një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pjesëmarrjes publike dhe transparencës në proceset e planifikimit komunal.


