Pronarët e shtatë kompanive transportuese të licencuar të udhëtarëve nga Regjioni i Mitrovicës, në ditën e tetë të protestës së tyre, duke kërkuar eliminimin e konkurrencës jolojale nga kombibusët, ishin sot në komunën e Vushtrrisë për të kërkuar nga i pari i komunës Bajram Mulaku mbështetje në mënyrë që kompanitë e tyre të funksionojnë pa humbje.
“Kërkojmë të na mbroni nga transportuesit ilegal të udhëtarëve, pasi që ne paguajmë tërë obligimet ndaj shtetit”, tha Hajriz Saraqi në emër të kolegve të tij. Kryetari i komunës Bajram Mulaku u ka dhënë mbështetje kërkesave të kompanive të licencuara. “Të zbatohet ligji 100 për qind sa i përket transportit të udhëtarëve nga kompanitë transportuese të licencuara”, tha Mulaku. Ai gjithashtu ka autorizuar drejtorin e inspeksionit Bajram Beqirin që të marr pjesë në takimin e përbashkët në Mitrovicë me kompanitë e tilla pushtetin lokal dhe zyrtar të ministrisë së transporteve për të gjetur zgjidhje të përbashkët.
“Të zbatohet ligji 100 për qind sa i përket transportit të udhëtarëve nga kompanitë transportuese të licencuara”, u ka thënë kryetari i komunës Bajram Mulaku pronarëve të kompanive transportuese të udhëtarëve, të cilët ka 8 ditë që janë në protestë